Mandatari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk e di saktë me probabilitet sesa i ka gjasat për t’u bërë kryeministër. Ai tha se nëse Kosova do të ketë një qeveri të re apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk varet tërësisht nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi nevojiten edhe votat e partive të ish-opozitës.
Konjufca të dielën nuk tregoi nëse ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë, derisa tha se ende nuk kanë caktuar datën e seancës ku do të “matet” në Kuvend.
Konjufca është mandatuar për kryeministër më 4 nëntor nga presidentja Vjosa Osmani. Afati i fundit për të thirrur seancën për votimin e qeverisë është 19 nëntor.
Mandatari i parë nga LVV-ja, kryeministri në detyrë Albin Kurti, më 26 tetor ka dështuar të marrë votat e nevojshme në Kuvend për ta formuar qeverinë.
“Nuk e di saktë me probabilitet sesa i kam gjasat të bëhem kryeministër. Unë mendoj se Kosova do ta ketë një qeveri, por në fund të fundit mendoj se nuk varet krejtësisht nga LVV-ja. Kësaj radhe zgjedhjen a do të kemi qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje, në dorë e kanë partitë që ne po iu themi opozitare… Ne e kemi në dorë për me propozuar mandatarin e dytë, me këtë rast unë u propozova ku edhe presidentja më mandatoi si kandidat. Kabineti im dhe unë si kryeministër do të dalim në seancë kur ne do të vendosim ditën e saktë. A do të votohem apo jo, më së shumti në dorë e kanë deputetët e partive të tjera. Ju e dini se deri tani në këtë kompozicion tonë të numrave të mazhorancës nuk kanë qenë më shumë sesa 56-57”, tha ai.
Këto komente Konjufca i bëri pasi votoi për balotazhin në kryeqytet. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

