Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar sot një letër që ai ia kishte dërguar më 21 shtator 2022 presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, për lirimin nga paraburgimi të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Në statusin e tij, Kurti kujtoi se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, deputetin Rexhep Selimi e kishin dërguar në Hagë, ku edhe sot ndodhet në paraburgim. Përveç tij, tash e pesë vjet në qeli mbahen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.
Sipas Kurtit, arsyeja që përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit të tyre – “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët” – nuk qëndron më, pasi Prokuroria e ka përfunduar rastin dhe nuk ka më dëshmitarë për të ndikuar.
“Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim,” theksoi Kurti.
“Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.”
Në letrën e vitit 2022, Kurti i kishte kërkuar gjykatëses Trendafilova që të zhvendoset “fokusi mono-etnik” i Gjykatës dhe të kthehet në kontekstin e luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe hetimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Prekaz, Reçak, Meje e gjetkë.
Ai kishte ofruar garanci shtetërore për lirimin me kusht të të gjithë të akuzuarve, duke theksuar se Policia e Kosovës mund të mbikëqyrë qëndrimin e tyre në vend, në pritje të procesit gjyqësor.
“Besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës,” ka shkruar Kurti.
Kryeministri theksoi se edhe pse përgjigjja nga Trendafilova pas dy javësh nuk solli ndryshim, kërkesat e tij dhe të Qeverisë së Kosovës mbeten të njëjta, pasi në vend ekzistojnë të gjitha garancitë për një përgjigje pozitive./press7.tv

