Në nëntëvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit, duke theksuar se pritja e gjatë për drejtësi është e papranueshme. Ai ka potencuar se s’mund ta bëjnë punën e drejtësisë, por bëri thirrje për angazhim më të madh për ta zbuluar të vërtetën.
Në homazhet e mbajtura të mërkurën, Kurti ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nënkryetarja Albulena Haxhiu, ministra në detyrë, deputetë dhe aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët më herët vizituan edhe familjen Dehari.
“Edhe njëherë i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë që të bëjë shumë më tepër dhe të angazhohet siç nuk është angazhuar deri më tash, sepse kjo padrejtësi, ky krim është plagë e hapur jo vetëm për familjen Dehari e Vetëvendosjen, por për mbarë familjen tonë shoqërore. Në punën e Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë nuk mund të ndërhyjmë, janë shtylla të ndara të pushtetit. Ne shprehim gatishmërinë, vullnetin dhe interesin tonë për drejtësi. Ka shumë mundësi që në këtë rast duhet të hetohet edhe procesi i hetimit që është zhvilluar në fillimet e tij, meqë nëse diçka nis mbrapsht, atëherë bëhet dyfish më e vështirë që të mbarojë mbarë. Si kryeministër, aktivistët tanë, ministrat, deputetët tanë nuk mund të bëhen prokurorë e gjyqtarë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri në detyrë u shpreh se Dehari ishte i burgosur për arsye politike, pasi “nuk pajtohej me pushtetin e atëhershëm”, ndërsa theksoi se mungesa e drejtësisë për këtë rast është tregues i një sistemi të dështuar hetimor.
“Si qeveri jemi shumë të gatshëm dhe të interesuar ta ndihmojmë prokurorinë e shtetit për të vërtetën. Mirëpo nëntë vjet janë tepër shumë – madje edhe nëntë muaj do të ishin shumë pa u zbardhur ky rast, pa u sqaruar e vërteta dhe pa u sjellë drejtësia”, ka thënë Kurti.
Basha: Rasti i Deharit, më keq sesa kanë vuajtur shqiptarët nën regjimin fashist të Millosheviqit
E kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se vdekja e Deharit, ka qenë padrejtësia më e madhe e pasluftës. Ai madje ka tërhequr paralele të sistemit të drejtësisë në këtë rast, me ato të ish-Jugosllavisë
“Jemi këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e Astrit Deharit, një njeri shembullor dhe aktivist i pashoq, që na tregon se ne duhet të vazhdojmë rrugën e tij, të qëndrojmë kundër padrejtësive që bëhen në këtë vend, e fatkeqësisht padrejtësia më e madhe i është bërë vetë atij. Duhet ta kuptoni se edhe në kohën e Jugosllavisë, regjimi fashist ka sajuar aktakuza kur i kanë mbajtur njerëzit në burg. Astrit Deharin e kanë mbajtur në burg për 67 ditë pa aktakuzë, pa e marrë në pyetje, pa asgjë. Kjo është një prej akteve më të rënda që ka përjetuar vendi ynë pas luftës. Ju e dini që lufta, beteja më e madhe e popullit tonë është bërë për liri e drejtësi. Nuk e ka pritur askush që ne të vuajmë më keq sesa kanë vuajtur shqiptarët nën regjimin fashist të Millosheviqit dhe kjo ka ndodhur në rastin e Astrit Deharit”, deklaroi Basha, sipas EkonomiaOnline.
Avni Dehari: Jofunksionalitet i sistemit të drejtësisë
Ndërkaq prindërit e Astritit kanë thënë se rasti i tij tregon për mosfunksionim të drejtësisë. Deputeti Avni Dehari, babai i Astritit, ka thënë se ky jofunksionalitet duket i qëllimshëm.
Kjo flet shumë për një sistem jofunksional të drejtësisë, dhe ky jofunksionalitet më shumë duket të jetë i qëllimshëm sesa i paqëllimshëm. Ne, si familje, por edhe në emër të të gjithë pjesëmarrësve këtu, kërkojmë që ky rast ta gjejë zgjidhjen dhe drejtësia të kthehet në binarët e duhur, sepse kjo flet për një njollë të keqe të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe nuk do të duhej të vazhdohej kështu. Uroj që për këtë rast dhe për të gjitha rastet në Kosovë, drejtësia ta thotë fjalën e vet”, ka thënë ai.
Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe student i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai u arrestua në gusht të vitit 2016, së bashku me disa aktivistë të tjerë të VV-së, nën dyshimet për sulmin me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Më 5 nëntor 2016, Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Prizrenit, ku po mbahej në paraburgim prej 68 ditësh.
Autoritetet fillimisht e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, por familja ka këmbëngulur vazhdimisht se bëhet fjalë për vrasje.

