Kosovë Lajme

Haxhiu: Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, s’mund të na shantazhojnë me numra

Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka akuzuar ish-paritë opozitare se

bashkë me Listën Serbe pamundësuan votimin e Qeverisë Kurti III.

Madje ajo ka thënë se seanca e sotme i kujtoi atë të 25 marsit 2020 kur sipas saj të gjithë ishin bërë bashkë për ta rrëzuar qeverinë e udhëhequr nga Kurti.

“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme, 26 tetor 2025, ma kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot nuk mundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin3. Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre”, ka shkruar ajo.

Megjithatë, ajo ka thënë se kjo është e përkohshme dhe se ata bashkë me popullin do të kthehen.

Haxhiu ka thënë se nuk do të shantazhohen nga ata që nuk marrin mbështetje nga populli.

“Natyrisht, kjo është shumë e përkohshme. Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme. Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë. Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm”, ka shkruar ajo.

Të dielën Qeveria ‘Kurti 3’ nuk u votua në Kuvend.

https://www.facebook.com/albulenaa.haxhiuu?ref=embed_post

Exit mobile version