Kosovë Lajme

Peci: Mitrovica nuk u thye

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se interesat në Mitrovicë janë të mëdha dhe se u arrit kulmi i shpërfaqjes mbrëmë me çfarë dhe si u raportua për rezultatin zgjedhor.

Por, Peci ka thënë se Mitrovica nuk është thyer.

Peci doli i dyti, bazuar në rezultatet preeliminare, në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës. Mori 47.80 për qind të votave, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së doli i pari me 47.89 për qind të votave. Dallimi mes tyre, pa u numëruar votat nga diaspora dhe at me kusht, është 28 vota.

Exit-pollet kishin projektuar se Tahiri do të fitojë pa balotazh.

Le të presim deri në numërimin edhe të votës së fundit. Një gjë është e qartë: Mitrovica nuk u thye! Interesat në Mitrovicë janë të mëdha, dhe kjo e arriti kulmin e shpërfaqjes dje nga çfarë dhe si raportua për rezultatin zgjedhor. Por interesi i Mitrovicës dhe qytetarëve të saj është mbi të gjitha, e bashkë me ju do ta mbrojmë dhe përparojmë atë”, ka shkruar Peci në Facebook.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut, lidhur me rezultatet në zgjedhje, do të hetohen.

Sipas tij, në exitpollet e prezantuara dhe në raportimet për fitues para mbylljes së vendvotimeve, nuk bëhet fjalë për huqje por për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

https://www.facebook.com/fatonpeci24/posts/1396401782493878?ref=embed_post

Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka ftuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje.

“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por një inxhiniering të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exitpollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë huqje por cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Kurti.

E Arian Tahiri në një postim në Facebook ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për mbështetje.

“Së bashku, pa dallime, ecim bashkë drejt fitores tonë të plotë! Mirënjohës përjetë për besimin tuaj”, ka shkruar Tahiri.

Exit mobile version