Kelmendi: Janë futur spiunë dhe janë investuar shumë para për spiunim; po shkohet drejt konfliktit brenda kombit tonë. Tashmë po na kërcënojnë edhe me dronë.
Jurtisti Muhamet Kelmendi apelon që Kosova të forcojë kapacitetet e saj ushtarake, duke argumentuar se pa një fuqi të fortë ushtarake nuk mund të garantohet paqja në rajon.
Sipas tij, rrethanat aktuale dhe veprimet e fqinjëve kërkojnë një përgjigje më të vendosur në aspektin e sigurisë.
Në një deklaratë të fortë, Kelmendi tha se Serbia nuk e ka ndalur kurrë luftën kundër shqiptarëve dhe Kosovës, dhe se qëndrimet armiqësore kundrejt shqiptarëve vërehen edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
“Serbia nuk e ka ndalur kurrë luftën kundër shqiptarëve dhe Kosovës. As qëndrimi i maqedonasve sllavë ndaj shqiptarëve nuk është më i mirë. Shteti serb, ai maqedonas e ai malazez po veprojnë edhe sot kundër kombit shqiptar, me qëllim dëbimin, asimilimin dhe shfrytëzimin e territoreve shqiptare që kanë mbetur. Përmes elementeve keqdashëse po përpiqen të bëjnë ndarje brenda kombit”, tha Kelmendi për “Bota sot”.
Ai përmendi gjithashtu fenomene të tjera shqetësuese: përdorimin e dronëve kundër Kosovës, ndalimin dhe dëbimin e shqiptarëve në Serbi, si dhe raste të asimilimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve në Podgoricë, Plavë, Guci, Rozhaj dhe Sanxhak.
“Janë futur spiunë dhe janë investuar shumë para për spiunim; po shkohet drejt konfliktit brenda kombit tonë. Tashmë po na kërcënojnë edhe me dronë. Shteti amë i shqiptarëve nuk po vepron; i ka futur veshët në lesh dhe po toleron çdo veprim keqdashës kundër kombit. Nuk po shohim asnjë veprim të Tiranës në mbrojtje të kombit — heshtje e plotë.
Teoria se në Kosovë ekziston një “komb kosovar” e jo një komb shqiptar ka qëllim të zhvillojë luftë speciale brenda kombit tonë. Në Maqedoni po krijohen identitete si “turk” ose “turko‑musliman” që në praktikë flet dhe jeton shqip në shtëpi, por paraqitet ndryshe politikisht. Në Mal të Zi — në Plavë, Guci dhe Rozhaj — po vazhdon një asimilim i ashpër. Në Serbi, shqiptarëve u hiqen adresat, po dëbohen me masa ekonomike, sociale dhe edhe me dhunë. Sanxhaku është asimiluar në mënyrë të dukshme”, u shpreh ai.
Duke folur për ndikimin ideologjik dhe fetar, ai tha se po përpiqen të ndryshojnë identitetet kombëtare duke ndërhyrë në fushën fetare dhe kulturore — për shembull, përmendi investimet në xhami dhe mbështetjen fetare si instrumente për asimilim.
“Flitet se qarqe të errëta serbo‑maqedono‑malazeze po aktivizojnë edhe elemente fetare dhe po ndërtojnë xhami, duke financuar hoxhallarë me qëllim asimilimin përmes fesë. Përveç këtyre masave, nga Beogradi, Shkupi dhe Podgorica po kryhen edhe veprime kriminale, duke përfshirë sjellje me tipar fashistik. Shtetet sllave po armatosen — po blejnë mjete moderne luftarake — dhe në këto vende po bëhen investime si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi. Kina është shumë prezente; po ndërton fabrika, rrugë dhe infrastruktura të ndryshme, me ndikime edhe ushtarake e, ndoshta, kriminale.
Si në kohën e ish‑Jugosllavisë, kur Kosova ishte e pushtuar dhe nën sundim, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare dhe shoqërore janë rikthyer — mijëra shqiptarë kanë vuajtur dhe po vuajnë ndëshkime të rënda. E njëjta gjendje vijon edhe sot: pjesë të kombit tonë po dhunohen, ndiqen dhe arrestohen; po kryhen veprime kundër kulturës, arsimit, lirive themelore dhe simboleve kombëtare”, potencoi ai.
Kelmendi theksoi se përballë këtyre kërcënimeve, kombi shqiptar duhet të përgatitet “vetë për vetë” dhe të investojë në mbrojtje, në mënyrë që të jetë i aftë t’i bëjë ballë çdo agresioni të hapur.
Ai shtoi se pavarësisht se tërë përpjekja duhet të synojë shmangien e luftës, e ardhmja paraqitet e paqartë dhe priten veprime të ashpra dhe luftarake nga ana e forcave sllavomadhe.
“Qytetarë shqiptarë — ish‑pjesëtarë të UÇK‑së, UÇPMB‑së dhe të tjerëve, intelektualë e qytetarë të tjerë — kapen, maltretohen rëndë dhe dënohen; ka edhe raste vdekjeje në burgje. Rasti i të riut nga Peja, i arrestuar vetëm pse mbante shqiponjën e tetovuar dhe që pas një viti u gjet i mbytur në burg, tregon për metodat kriminale që vazhdojnë të përdoren. Shqiptarët që jetojnë apo kalojnë në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi po ndëshkohen, grabiten dhe u ndalet pasuria. Shumë po arrestohen, mbahen në burgje dhe dënohen. Faktorët ndërkombëtarë shpesh heshtin përballë këtyre masave.
Këto masa antinjerezore dhe antikombëtare kundër popullit shqiptar e kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen. Mirëpo, kjo situatë tregon se kombi ynë duhet të jetë i përgatitur për ditët kur sllavët të fillojnë agresionin e hapur pushtues. Sllavët po përgatiten dhe po blenë armë jo për arsye të tjera, por për t’i sllavizuar trojet shqiptare të pushtuara. Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk pajtohen pa i sllavizuar ato territore që i konsiderojnë si të tyre”, theksoi ai.
Sipas profesorit, Kosova është në tehun e luftës dhe rreth saj ka forca të shumta luftarake serbe; qarkullojnë dronë serbë, dhe përmes ligjeve serbe po tentojnë ta konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë.
“Kisha serbe është angazhuar fuqishëm dhe, përmes aktiviteteve të veta, po drejton një luftë speciale shoviniste kundër shqiptarëve. Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi po lënë pak rrugë alternative përveç asaj të luftës. Në çdo shtet sllavomadh po punohet me forca të shumta për të forcuar fuqinë ushtarake — kjo është e dukshme.
Prandaj edhe shqiptarët duhet të investojnë në mbrojtje. Duhet të përgatiten dhe të përkatësohen për të përballuar kërcënime të rënda. Natyrisht që më mirë do të ishte që lufta të mos ndodhte kurrë, por e ardhmja është e paqartë dhe priten veprime të ashpra dhe luftarake nga ana e forcave sllavomadhe. Këtë duhet t’ia dalim përballë”, përfundoi profesori.
Ndryshe, ditë më parë autoritetet thanë se janë vërejtur dronë serbë duke fluturuar mbi territorin e Kosovës, gjë kjo e cila më pas u demantua nga KFOR-i.