Kosovë Lajme

Osmani: Nuk mund ta trajtosh Rusinë si agresor e Serbinë si partner të paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një adresim për media në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian që po mbahet në Danimarkë ka thënë se ky samit do të jetë mundësi e madhe për të diskutuar rreth kërcënimeve që vijnë nga Rusia.

Ajo e ka renditur edhe Serbinë në mesin e dy kërcënimeve që rajoni ka aktualisht. Duke e quajtur atë satelitë të Rusisë, Osmani ka thënë se nuk mund ta trajtosh njërin si agresor e tjetrin si partner të paqes.

“Duhet të themi se vetëm uniteti nuk mjafton, ka nevojë të vazhdueshme për konsistencë për t’u marrë me agresorë dhe diktatorë. Janë aktualisht dy rreziqe kyç të sigurisë që janë duke ardhur kundër shteteve në kontinentin tonë, një vjen nga Rusia, tjetra veçanërisht në rajonin tonë vjen nga sateliti i Rusisë, zgjatja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia. Mendoj që është e nevojshme konsistenca nga BE-ja që të merren me të dy agresorët sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe tjetrin si partner të paqes”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Serbia i ka trajtuar vendet fqinje si vende që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave vepron si agresor.

Sipas saj, të dyja vendet përdorin metodat e njëjta të kërcënimit, derisa ka përmendur para gazetarëve të huaj edhe rastin e Banjskës dhe thirrjen e BE-së për mbajtje të përgjegjësisë.

“Natyrisht që është kopje e Rusisë. Fatkeqësisht Rusia e mbështetë Serbinë, kështu që tradicionalisht e kanë përdorur këtë koncept: Rusia flet për Rusinë e Madhe ndërkaq Serbia flet për Serbinë e Madhe dhe përdorin të dyja metodat e njëjta të kërcënimit. Ne sapo kemi shënuar dy vjet të agresionit të Serbisë në veri të vendit tonë, Bashkimi Evropian vazhdimisht ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe kanë pasur zero përgjegjësi”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, Vuçiqi është munduar të kopjojë Putinin duke përdorur agresionin dhe taktikat e destabilizimit kundër fqinjëve dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që shtete anëtare të Bashkimit Evropian ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë që qëndron me Rusinë nuk është rruga para.

Ka deklaruar se shtetet që janë 100 për qind të rreshtuara nga BE-ja duhet të shpërblehen.

Osmani për popullin e Ukrainës ka thënë se askush nuk mund të rrijë para popullit që dëshiron të jetë i lirë.

“Ata do ta fitojnë luftën, do ta fitojnë paqen. Për Bashkimin Evropian dua të them se historia tregon, diktatorët kënaqen kur nuk çon te paqja e qëndrueshme. Thirrja jonë është që të jenë të kujdesshëm që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë të trajtohet dhe të mos lejohen që ta vazhdojnë dhunën”, ka shtuar ajo.

Osmani ka thënë se integrimi në Bashkimin Evropian është rruga e vetme për Kosovën, populli i së cilës është 97 për qind për anëtarësimit në këtë union.

Ka deklaruar se nuk mund të japë një afat për anëtarësimin e Kosovës në BE, pasi sipas saj nuk varet nga Kosova, duke shtuar se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Ka thënë se do t’i bindë të gjitha shtetet e BE-së se Kosova nuk është barrë në këtë union.

Exit mobile version