Nëse do t’i besonim teorisë së Partneriteteve Publike-Private, Shqipëria pas vitit 2015 do të ishte një vend me shërbime moderne, rrugë të përfunduara dhe spitale të teknologjisë së lartë. por realiteti është krejt ndryshe. Disa nga shërbimet që duhet të përfitoheshin nga kontratat me privatin thjesht nuk ekzistojnë, ndërsa nga një raportim që ka bërë sot Monitor, gjysma e parave publike të derdhura për këto kontrata sot janë nën hetim penal.
Praktikishtm është kuptuar 10 vite më pas, se konçensionet u shndërruan në mekanizma për të derdhur miliarda lekë nga buxheti i shtetit drejt kompanive të paracaktuara, pa një analizë të qartë kosto–përfitim dhe shpesh pa asnjë garë reale.
Vetëm në sektorin e shëndetësisë, në harkun e katër viteve, u dhanë koncesionet për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, për check-up-in kombëtar, për shërbimin e dializës dhe për laboratorët e analizave, ndërsa paralelisht u ngrit skema e famshme e inceneratorëve me tre projekte të mëdha në Elbasan, Fier dhe Tiranë, të cilat sot njihen më shumë për hetimet e SPAK se sa për menaxhimin e mbetjeve.
Në infrastrukturë, historia është e ngjashme: mirëmbajtja e Milot–Morinë, ndërtimi i Rrugës së Arbrit apo kontrata për segmentin Orikum–Dukat kanë qenë shembuj të një modeli ku shteti garanton pagesat e rregullta, ndërsa risku i projektit mbetet minimal për privatin.
Sipas Ministrisë së Financave, nga viti 2017 deri në 2024 janë paguar 84 miliardë lekë (rreth 840 milionë euro) për 12 kontratat koncesionare kryesore. Shifrat janë domethënëse: vetëm Rruga e Arbrit ka marrë 19.3 miliardë lekë, sterilizimi 13 miliardë, shërbimi i skanimit 12.3 miliardë dhe inceneratori i Tiranës 7.4 miliardë.
Por pas këtyre pagesave që në letër duken si shifra të zakonshme të buxhetit publik, fshihet një realitet tronditës: nga këto 12 kontrata, 6 kanë pasur telashe me drejtësinë, duke përfshirë të tre inceneratorët, sterilizimin, check-up-in dhe laboratorët. Vetëm këto gjashtë kontrata kanë marrë nga buxheti rreth 39 miliardë lekë, afërsisht 400 milionë euro, që përbëjnë gati 46% të totalit të derdhur për koncesione në këtë periudhë. Me fjalë të tjera, pothuaj gjysma e parave që shqiptarët kanë paguar përmes taksave për koncesione publike rezulton e dyshuar si pjesë e aferave korruptive.