Botë Lajme

Trumpi i bën thirrje Erdoganit të ndalojë blerjen e naftës ruse

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund t’i heqin sanksionet ndaj Turqisë dhe ta lejojnë atë të blejë avionët ushtarakë amerikanë F-35. Një njoftim të tillë Trumpi e dha në Zyrën Ovale në takimin me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Megjithatë, ai ka thënë se Ankaraja duhet të ndalë blerjen e naftës ruse.

Vizita e parë e Erdoganit në Shtëpinë e Bardhë pas një periudhe të gjatë, rreth gjashtë vitesh, ndodh në një moment kur Turqia kërkon të shfrytëzojë mundësitë që i ofron administrata amerikane, e cila është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje të mëdha për armë dhe tregti.

Trump e përshkroi Erdoganin si njeri shumë të fortë dhe shprehu dëshirën që Turqia të ndalonte blerjen e naftës ruse, një veprim që ai e kërkon nga vendet evropiane që po blejnë naftë ruse, përfshirë edhe Hungarinë e Sllovakinë.

Presidenti amerikan theksoi se do të preferonte që Turqia të ndalonte plotësisht blerjen e naftës ruse, veçanërisht në këtë periudhë kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës.

Në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje për shitjen e avionëve luftarakë F-35, Trump sugjeroi se Erdogani do të ishte në gjendje të sigurojë ato që dëshiron të blejë dhe shprehu optimizëm për mundësinë e një marrëveshjeje të suksesshme.

Ai gjithashtu tha se mund të heqë sanksionet ndaj Turqisë në një afat të shkurtër, madje mund ta bëjë këtë shumë shpejt nëse takimi shkon mirë.

Exit mobile version