Kosovë Lajme

Pranvera Gashi, kandidatja e re nga Suhareka, i bashkohet garës me Lëvizjen Vetëvendosje!

Pranvera Gashi, e lindur në Suharekë në shtator të vitit 1994, është një ndër zërat e rinj që kërkon besimin e qytetarëve për të sjellë energji dhe ide të reja në politikë.

Ajo ka një rrugëtim mbresëlënës akademik e profesional: shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në vendlindje, ndërsa studimet e larta i zhvilloi në Prishtinë, ku përfundoi Arkitekturën (Bachelor dhe Master në UBT) dhe paralelisht Arkeologjinë në Universitetin e Prishtinës. Përkushtimi i saj i solli 6 bursa studimore brenda dhe jashtë vendit, duke vijuar më tej studimet në Skoci dhe Francë.

Pranvera është angazhuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës, ka dhënë kontribut në projekte të shumta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Suharekë dhe më gjerë, si dhe ka përfaqësuar Kosovën në organizata ndërkombëtare në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Gjermani, Brazil dhe Zvicër.

Për më shumë se 3 vite e gjysmë, ajo përfaqësoi Ballkanin Perëndimor me një brand botëror në industrinë e bukurisë, duke dëshmuar se edhe një grua nga Kosova mund të jetë pjesë e skenës globale. Aktualisht jeton në Zvicër, ku punon si Arkitekte në një kompani ndërtimore dhe njëkohësisht kontribuon në Institutin Arkeologjik të Kantonit Aargau, duke kombinuar profesionin me pasionin për trashëgiminë.

Nëpërmjet këtij rrugëtimi, Pranvera tregon se edhe pse shpesh ka ndjerë mungesë mbështetjeje në vendlindje, ajo ka fituar forcën për të mos u ndalur. Sot, ajo synon ta kthejë këtë përvojë shumëdimensionale në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Kërkoj besimin dhe votën tuaj sepse dua të sjell përvojën time akademike, profesionale dhe ndërkombëtare në punë konkrete për të ardhmen e Kosovës. Bashkë mund të krijojmë një të ardhme ku rinia ka më shumë mundësi, kultura dhe trashëgimia ruhen me krenari, dhe profesionistët tanë gjejnë hapësirë për të kontribuar,” – shprehet ajo./press7.tv

Exit mobile version