Lajme Maqedoni

Defekt në radarët e Aeroportit të Shkupit: avionët do të aterojnë një nga një

Radari i vetëm funksional në Kontrollin e fluturimeve të “M-NAV” në Aeroportin e Shkupit është prishur, për shkak të çka që nga mëngjesi i djeshëm kontrollorët nuk mund t’i ndjekin avionët në lartësi të ulët gjatë aterimit, shkruan SDK.

Nga dy radarët e aeroportit – një i vendosur mbi kullën e kontrollit dhe tjetri pranë saj – në funksion ishte vetëm i dyti, i cili tani ka dështuar. Derisa defekti të riparohet dhe të arrijë pjesa e nevojshme për zëvendësim nga Italia, kontrollorët do të jenë të detyruar të aterojnë avionët një nga një. Nëse në të njëjtën kohë arrijnë dy apo tre avionë për aterim, një pjesë e tyre do të duhet të qarkullojë në ajër deri sa të aterojnë të parët në mënyrë të sigurt.

Drejtori i M-NAV, Vladimir Risteski, për SDK ka konfirmuar se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e pasagjerëve dhe fluturimeve. “Puna do të vazhdojë si deri më tani, por me ritëm më të ngadalshëm. M-NAV ka në dispozicion tre radarë – një në Aeroportin e Ohrit dhe dy në Shkup. Njëri prej tyre ka defekt teknik, i cili është identifikuar dhe po punohet për eliminimin e tij. Probleme të tilla elektronike janë normale në aviacion dhe ekzistojnë procedura të parashikuara për situata të tilla. Ndryshimi i vetëm është kufizimi i numrit të avionëve që mund të shërbehen në një orë”, tha Risteski.

Përkohësisht, gjatë defektit, për kontrollin e avionëve në lartësi më të madhe po përdoren radarët e Greqisë dhe Bullgarisë.

Exit mobile version