Botë Kosovë Lajme

Williams thotë se FARK-u do ta mënjanonte UÇK-në

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se kryeministri i atëhershëm i Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi përpiqej të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë e dija se kryeministri Bukoshi përpiqej të krijone FARK-un bazuar fillimisht në Shqipëri që përbëhej nga oficerë shqiptarë ose oficerë që kishin shërbyer në Forcat Ushtarake të Jugosllavisë”, tha ai.

Dëshmitari tha se Bukoshi s’i ka kërkuar kurrë këshillë lidhur me FARK-un që ishte një iniciativë e LDK-së për të krijuar një krah lufte.

“Bujar Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë lidhur me FARK-un, por në bisedat tona me Bukoshin dhe ato me diasporën shqiptaro-amerikane ishte pjesë e bisedave që ekzistonte. Ishte pjesë e tensionit të thellë. Ishte ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur.

Sipas asaj që e ka kuptuar, Williams tha që FARK-u do të ishte më efikas për shkak se do të përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave e për rrjedhojë do e mënjanonte UÇK-në.

“FARK-u do të ishte aktor shtesë i armatosur joshtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës. Duke qenë se do të ishte më profesionist, duke qenë se përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave dhe kishte gjasa që të bëhej aktori më efikas dhe efektiv i armatosur joshtetëror dhe për rrjedhojë do të mënjanonte UÇK-në”, tha ai.

Dëshmitarin e mori në pyetje edhe gjyqtari Fergal Gaynor, i cili u fokusua tek roli i Thaçit gjatë periudhës së negociatave në Rambuje.

Pas kësaj, Williams mbylli dëshminë.

Exit mobile version