Botë Lajme

Rusia vendosi raketa balistike në Kaliningrad — brenda rrezes janë 6 anëtare të NATO-s

“Iskander”-ët ndodhen në autostradën E28 në rajonin e Kaliningradit, në veri të vendbanimit Kudrjavcevo. Ky është një aks strategjik që lidh Berlinin dhe Minskun.
Sipas gjeolokacionit të publikuar nga analistë ushtarakë, vendndodhja e xhirimit është në koordinatat 54.6451214, 21.3785666, rreth 105 kilometra nga kufiri polak

Në atë distancë, “Iskander”-ët mund të rrezatojnë gjashtë anëtare të NATO-s – Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë, Suedinë dhe Gjermaninë.
Anton Gerashçenko, këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, e ndau videon në rrjetin social X me mesazhin se kjo është një demonstrim force kundër NATO-s. Ajo u publikua gjithashtu nga shumë analistë ushtarakë, ndërsa fillimisht doli në një kanal rus në rrjetin Telegram.

Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht vendndodhjen e “Iskander”-ëve në Kaliningrad, por disa raporte thonë se kjo është pjesë e ushtrimit të madh ushtarak “Zapad-2025”, që Rusia e zhvillon së bashku me Bjellorusinë.
Ushtrimi “Zapad-2025” filloi pardje dhe përfshin manovra në territorin e Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe në Detin Baltik e Detin Barenc. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, qëllimet e ushtrimeve janë “përmirësimi i aftësive të komandantëve dhe shtabit, rritja e nivelit të bashkëpunimit dhe stërvitja në terren e forcave rajonale dhe koalicionit”.

Në fazën e parë të ushtrimit, forcat simulojnë zmbrapsjen e një sulmi ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ndërsa faza e dytë fokusohet në “rikthimin e integritetit territorial të shtetit federal dhe shkatërrimin e armikut, përfshirë edhe pjesëmarrjen e forcave nga vendet mike”. Shteti federal është aleanca mes Rusisë dhe Bjellorusisë, që Moska e thekson si bazë të politikës së përbashkët të sigurisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ushtrimet, përfshirë edhe ato pranë kufirit polak, “nuk janë të drejtuara kundër asnjë vendi tjetër”. Por, në Perëndim ato shihen si një demonstrim force në një moment të ndjeshëm të luftës në Ukrainë.

“Iskander” është një sistem raketor balistik mobil me rreze të shkurtër, i cili hyri në përdorim në fillim të viteve 2000. Raketat e tij kanë një rreze deri në 500 kilometra dhe mund të mbajnë lloje të ndryshme të koka luftarake – konvencionale, kasetë dhe bërthamore. Kjo e bën atë një nga armët kryesore të forcave tokësore ruse.

Forca e veçantë e sistemit “Iskander” qëndron te saktësia dhe aftësia e tij për të depërtuar mbrojtjen antiraketore. Raketat fluturojnë në një lartësi relativisht të ulët, manovrojnë gjatë fluturimit dhe përdorin objektiva të rremë, gjë që i bën të vështira për t’u interceptuar. Për shkak të këtyre karakteristikave, çdo dislokim i tyre pranë kufijve të NATO-s shkakton vëmendje dhe shqetësim tek aleatët.

Pamjet nga rajoni i Kaliningradit përputhen, pra, me kuadrin më të gjerë të ushtrimit “Zapad-2025”, por edhe me strategjinë afatgjatë të Moskës për të treguar se ka kapacitete goditëse të gatshme e të vendosura menjëherë pranë kufijve të NATO-s.

Exit mobile version