Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot u takua me ambasadoren e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, znj. Angela Ageler, përcjell TV21. Nga Kabineti i zv/kryeministrit njoftojnë se gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin teknik dhe shkencor për ruajtjen e Liqenit të Ohrit, një pasuri natyrore dhe kulturore ndërkufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Qëllimi i bashkëpunimit është përmirësimi i cilësisë së ujit, menaxhimi i peshkimit dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm liqenor. Gjatë vitit 2024, dy ekspertë amerikanë zhvilluan vizita në terren dhe takime dyjavore në rajonin e Ohrit, për të vlerësuar gjendjen aktuale. Raporti për vizitën përmban disa rekomandime konkrete, ndër të cilat: forcimi i kapaciteteve të Institutit Hidrobiologjik përmes modernizimit dhe mbështetjes për stafin shkencor, krijimin e një programi kombëtar afatgjatë për monitorimin limnologjik dhe fondin peshkor, zhvillimin e një plani të përbashkët ndërkufitar për menaxhimin e inkubatorëve dhe mbrojtjen e troftës së Ohrit, krijimin e mekanizmave për zbulimin e hershëm të specieve invazive; si dhe zhvillimin e një programi kërkimor për turizmin e qëndrueshëm dhe përforcimi i rolit të organizatave joqeveritare. Në këtë kuadër, sot në takim mori pjesë edhe Prof. Jason Stockwell, drejtor i Laboratorit Shkencor për Mjedisin dhe Burimet Natyrore nga Univerziteti i Vermontit, SHBA, i cili në ditët në vijim do të qëndrojë në Ohër e më pas do të prezatojë idetë e tij për vazhdim të bashkëpunimit me Institutin Hidrobiologjik – Ohër dhe institucionet tjera relevante në vend. Mexhiti dhe Ageler u dakorduan se ruajtja e Liqenit të Ohrit është një prioritet kombëtar dhe ndërkufitar, ndërsa bashkëpunimi me SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë do të sjellë ekspertizën e nevojshme për ta mbrojtur këtë trashëgimi unike natyrore dhe kulturore”, thuhet në njoftim.