Kosovë Lajme

Osmani: Largova vajzat nga shkolla publike shkaku i sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që ajo të sulmohet ditë e natë, por ka kërkuar që të mos përdoren vajzat e saj për luftë politikë. Ajo u shpreh se ka dërguar vajzat në shkollë private për shkak se ajo publike, “Ismail Qemali”, ku deri tash ndiqnin mësimet nuk plotësonte kushtet e sigurisë, që sipas Osmanit, janë kërkuar nga organet kompetente.

“Është ndryshe kur një shkollë ka vetëm një hyrje, ndryshe kur janë shumë hyrje. Madje ju vetë keni raportuar për rreziqet e ndryshme në shkolla, për armët, thikat, drogën…”, u shpreh ajo.

Në një deklaratë të enjten në Presidencë, Osmani ka thënë se ndaj saj ka pasur dhjetëra kërcënime me jetë, ndërsa Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë veprime. Ajo theksoi se masat e sigurisë për familjen e saj janë vendosur nga institucionet përkatëse, bazuar në vlerësime të rrezikshmërisë së lartë.

“Vajzat e mia shkollohen në Kosovë. Sa ishin në shkollën “Ismail Qemali” u janë publikuar madje edhe klasat ku kanë qëndruar, duke i ekspozuar ndaj rreziqeve, përfshirë edhe nga Serbia, që ka tendenca kriminale. Më sulmoni mua ditë e natë, kurrë mos u ndalni por mos bini në atë pikë ku fëmijët e vegjël që nuk kanë asnjë faj të rrezikohen”, ka thënë Osmani.

Presidentja kujtoi se në raste të tjera ka dënuar sulmet ndaj familjarëve të kundërshtarëve politikë dhe se asnjëherë nuk është marrë me jetën private të tyre. Ajo theksoi se çdo familje presidenti në botë gëzon mbrojtje të afërt dhe kjo nuk përbën keqpërdorim.

Osmani gjithashtu potencoi se ditën e djeshme nuk kërkoi arrestimin e kameramanit që po xhironte jashtë shkollës private, ku presidentja ka dërguar dy vajzat për shkollim.

“Nuk kërkova që të arrestohet kameramani, as nuk e ka bërë mbrojtja e afërt. Gjithmonë kam bërë thirrje që gazetarët duhet të respektohen, jeni dëshmitarë”, shtoi Osmani.

Presidentja foli edhe për disa gazetarë, duke i quajtur “Radoiçiqa”. Ajo shtoi se nuk përmend emra, por se dihet kush janë pasi “e kanë mizën pas veshit”.

“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiqat. Janë hetuar planet për grushtshtet. Nuk mund t’i themi emrat për shkak të pengimit të hetimeve. Përgjatë rrugës së hetimeve, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Është vlerësim i institucioneve që të mos i tregojnë emrat për shkak të mos pengohen hetimet”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pasur asnjëherë dallim në qëndrimet se Kosova duhet të mbrohet nga Serbia.

“Nuk e kemi pasur kurrë as dallimin më të vogël se Kosova duhet të mbrohet nga Vuçiqi dhe Serbia nga shërbëtorët e saj në Kosovë. Unë jam bashkëpunuese me të gjithë që e duan Kosovën”, ka thënë ajo duke iu përgjigjur edhe pyetjes se a do rikandidojë për pozitën e presidencës.

“A do të kandidoj sërish për presidente, do të vendosim. Sa po vendosi që të pushoj, po çohen disa gazetarë po me sulmojnë e po më shtyjnë të punoj më fuqishëm”.

Exit mobile version