Kosovë Lajme

Sveçla urdhëron hetim për përfshirjen e mundshme të policëve në rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Sveçla theksoi se në çdo paraqitje publike dhe takim me mekanizmat që drejton, ka kërkuar angazhimin maksimal për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vend. Ai u shpreh se do të vazhdojë të jetë i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështet çdo formë të koordinimit ndërinstitucional për të siguruar institucione kredibile, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve.

“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale,” tha ministri, duke bërë thirrje që edhe hallkat e tjera të sistemit, sidomos drejtësia, të veprojnë me të njëjtën vendosmëri për të garantuar siguri dhe rend në Republikë./press7.tv

Exit mobile version