Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, analisti dhe aktivisti Bekim Qoku ka komentuar zhvillimet e fundit politike që lidhen me projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”, duke e cilësuar si një vazhdimësi të politikave serbomëdha që nisën me Minishengenin dhe vazhduan nën petkun e Ballkanit të Hapur.
“Në erën e imazheve, fjalët nuk kanë më shumë peshë, sidomos në rrjete sociale”, shkruan Qoku, duke shtuar se disa nga fotot që qarkullojnë sot – jo të prodhuara nga inteligjenca artificiale – janë dëshmi të një procesi të rrezikshëm politik që synon shtrirjen e influencës serbe në rajon.
Qoku ka vënë në pah takimet mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe një lideri shqiptar pa funksion shtetëror, duke ngritur pikëpyetje mbi natyrën e këtyre takimeve. “Nuk e di se si mund të shpjegohen… përveçse me faktin që duhet të kenë miqësi të vjetër, apo janë miq shpije,” shkruan ai me ironi.
Ai përmend gjithashtu një foto ku lideri shqiptar lutet pranë një burimi, duke hedhur monedha për “Boten serbe”, ndërsa shton me skepticizëm se këto lutje nuk do të realizohen me kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në fund, Qoku shpreh shqetësimin se mundësia për të parë foto të tjera mes Vuçiqit dhe liderëve shqiptarë si Edi Rama dhe Ali Ahmeti është shumë më e madhe sesa me liderë të tjerë të rajonit.