Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shpallur fajtor Vasil Jovanovin për aksidentin tragjik që ndodhi në janar të këtij viti, duke e dënuar me 12 vite burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.
Jovanov, i cili e pranoi fajin në seancën paraprake, ishte nën ndikimin e alkoolit, pa patentë shoferi dhe kaloi në semafor të kuq kur përplasi për vdekje këmbësoren Frosina Kulakova, e cila ishte duke kaluar në vijat e bardha me dritë të gjelbër në rrugën “Partizanska”.
Gjyqtarja Snezhana Markovska theksoi se gjatë caktimit të dënimit janë marrë parasysh rrethana lehtësuese si pendesa, pranimi i fajësisë dhe mosha e re e të pandehurit, por dënimi u rëndua për shkak të precedentëve penalë të mëparshëm, përfshirë një dënim për tregti me drogë dhe shkelje të shumta të rregullave të trafikut.
Përveç dënimit me burg, Jovanovit iu shqiptua edhe ndalim për të drejtuar automjete për pesë vite dhe një gjobë financiare.
Babai i Frosinës kundërshton vendimin gjyqësor për dënimin me 12 vite burg
Pas shpalljes së vendimit, babai i viktimës, Todor Kulakov, reagoi ashpër duke e quajtur dënimin “shpërblim për vrasje” dhe duke akuzuar sistemin gjyqësor për neglizhencë dhe manipulim me prova. Ai bëri thirrje për protesta të reja para Gjykatës Penale dhe Këshillit Gjyqësor.
“Ky nuk është dënim, por një vendim i turpshëm që fyen çdo qytetar të ndershëm,” deklaroi Kulakov.
Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj babait të Vasilit, Zoran Jovanov, për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, pasi kishte lejuar të birin të ngiste automjetin pa leje të vlefshme.
Vendimi gjyqësor ende nuk është i formës së prerë dhe i pandehuri ka të drejtë ankese.