Lajme Shqipëri

11 Maji – SPAK nis 26 hetime për krime zgjedhore

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar 26 procedime penale lidhur me dyshime për krime zgjedhore të ndodhura në kuadër të procesit të 11 majit. Këto raste janë kallëzuar ose janë konstatuar kryesisht nga hetuesit e SPAK, dhe aktualisht po hetohen në mënyrë të thelluar.

Nga këto, shtatë procedime janë regjistruar me nismë të vetë SPAK, për shkak të dyshimeve për përfshirje të zyrtarëve të lartë në korrupsion apo shkelje të tjera të lidhura me zgjedhjet.

Albana Vokshi, kandidate për deputete nga Partia Demokratike, u paraqit sot në SPAK në cilësinë e kallëzueses, duke dorëzuar informacione shtesë mbi denoncimet ekzistuese. Ajo akuzoi Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për keqpërdorim të administratës publike në funksion të fushatës zgjedhore.

“Me keqpërdorimin e përditshëm të administratës, Partia Socialiste dhe Edi Rama vijojnë shkeljet ligjore. U bëjmë thirrje të gjithë punonjësve të administratës, përfshirë mësuesit, të mos përfshihen në veprime të paligjshme dhe të shkëputen nga sistemi i patronazhimit,” u shpreh Vokshi.

Ajo paralajmëroi se çdo individ i përfshirë në krime zgjedhore do të përballet me drejtësinë, ndërsa siguroi se administrata që i qëndron ligjit do të mbështetet nga një qeveri e drejtuar nga Partia Demokratike.

Exit mobile version